Drejtuesit e Napolit po mendojnë për Granit Xhakën, talentin kosovar të Bazelit. Lajmi është bërë publik nga mediat italiane, të cilat janë të sigurta për interesimin e drejtuesve të kësaj skuadre.
Sipas shtypit italian, futbollisti që vlerësohet rreth 10 milion euro nga klubi i Bazel, shihet si një alternativë e rëndësishme në repartin e mesfushës së Napolit, ku do të rreshtohej përkrah një tjetër futbollisti me origjinë shqiptare, Blerim Xhemajlit.
Për këtë arsye, kanë nisur kontaktet e para mes Napolit dhe drejtuesve të Bazelit, por diskutimet do të vazhdojnë më seriozisht pas përfundimit të këtij sezoni ku napolitanët janë në garë për vendin e tretë në Serinë A, që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve dhe të ardhura më të mëdha për merkaton e klubit.
Përballë interesimit të Napolit, duket se është dorëzuar Lacio e Igli Tares, i cili nuk është se ka aq shumë fonde në dispozicion për të siguruar lojtarin kosovar të Bazelit. Tashmë sytë e kryeqytetasve janë drejtuar vetëm te Adrian Nikçi, për të cilin duket se nuk do të shpenzojnë më shumë se 500 mijë euro për ta marrë nga Zyrihu. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 April 2012 11:01