Pas Klarens Sedorf, Alesandro Nesta dhe Filipo Inzagi, edhe Ivan Xhenaro Gatuzo nuk do të jetë pjesë e Milanit në sezonin e ardhshëm. Lajmi është bërë publik nga vetë lojtari i cili nuk ka rinovuar me klubin kuqezi, që me sa duket nuk i garanton atij një rol parësor në projektin e ri.
“Po, do të largohem nga Milani. Do të luaj një vit jashtë Italisë dhe më pas të shohim. Por për momentin nuk kam asnjë ofertë. Ka ardhur momenti që t’i jepet hapësirë të rinjve. Milani këtë vit ka bërë shumë më tepër se sa ajo që kam bërë unë dhe erdhi momenti që t’i lëshoj rrugë të tjerëve”, ishin fjalët ë futbollistit të emocionuar për këtë lamtumirë ndaj kuqezinjve.
Sipas mediave italiane, pritet që Gatuzo të luajë një sezon në një kampionat tjetër, në Lindje ose në SHBA, për t’u kthyer pastaj si drejtues në radhët e Milanit.
Ndërkohë, katër lojtarët që janë larguar nga kuqezinjtë kanë marrë një përshëndetje shumë të veçantë nga një tjetër futbollist që po bëhet gati të lërë skuadrën e zemrës, kapiteni i Juventusit, Alesandro Del Piero.
“Sandro (Nesta), Rino (Gatuzo), Pipo (Inzagi), Klarens (Sedorf): shokë dhe/apo kundërshtarë, por kurrë armiq. I lumtur që kam luajtur përkrah apo kundër jush. Djema, ju vlerësoj. Ale”, ishte komenti në faqen zyrtare të Facebook të kapitenit të Juventusit. (LajmeShqip.com)
Friday, 11 May 2012 21:35