Sulmuesi shqiptar Edgar Çani, po bëhet gati për debutimin e tij me kombëtaren shqiptare. Ky fakt, e sidomos paraqitja e mirë që po bën në radhët e Polonia Varshavës, ka zgjuar interesimin e mediave italiane që e kanë intervistuar lojtarin shqiptar. Ky i fundit, nuk ka ngurruar të tregojë edhe ndryshimet e rëndësishme që po ndodhin në karrierën e tij që pas transferimit nga Italia.
Kanë kaluar 6 muaj që nga transferimi në Poloni, çfarë bilancit bën për veten?
“Padyshim pozitiv. Sinqerisht nuk e prisja që të gjendesha kaq mirë, sidomos pas një fillimi traumatik. Për mua ishte gjithçka e re, qyteti, mënyra e jetesës, gjuha, kultura, ushqimi. Nuk e fsheh që ka qenë e vështirë, kam patur disa vështirësi për t’u ambientuar. Por me kalimin e javëve kam zbuluar vendin, Varshava është një qytet i madh që ofron shumë mundësi”.
Sidomos në aspektin sportiv…
“Po kaloj një sezon të mirë, kam shënuar 9 gola në 17 ndeshje dhe po ndihmoj skuadrën të luftojë për titullin kampion. Kryesuesit e Slask janë ende 4 pikë larg por ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur. Objektivi është të fitojmë kampionatin, skuadra më në fund po ecën siç duhet pas një fillimi të vështirë për shkak të integrimit të shumë fytyrave të reja. Jam përshtatur shumë mirë me grupin, jemi një skuadër e fortë që ka shumë dëshirë për të fituar”.
A është Polonia hakmarrja juaj?
“Sigurisht. Pasi ndryshova shumë skuadra, sidomos në Serinë B (Padova, Piaçenca, Askoli dhe Modena), kisha nevojë që të ndjehesha i rëndësishëm. Palermo nuk besoi kurrë te unë, ndaj sapo erdhi oferta nga Polonia Varshava e pranova menjëherë sfidën. Rrezikova shumë por shkoi gjithçka mirë”.
“Në korrik kisha firmosur një kontratë 6-mujore, në janar e rinovova deri në vitin 2015. Këtu gjendem mirë, dua të fitoj kampionatin dhe të luaj në Ligën e Kampioneve. Një kthim në Itali nuk e përjashtoj. Italia është vendi ku u rrita, luhet kampionati më i bukur dhe më i rëndësishëm në botë, por nëse kthehem dua një projekt serioz, dua një skuadër që beson te unë, nuk dua të jem përsëri “i parkuar” në Serinë B. Edhe sot nuk arrij ta kuptoj se pse në Itali ka më shumë sulmues që nuk shënojnë sesa ata që bëjnë gola”.
Paraqitjet me Polonia Varshavën ishin ato që të dhuruan fanellën e Shqipërisë?
“Jam grumbulluar për sfidën miqësore të 29 shkurtit ndaj Gjeorgjisë, për mua është ndeshja e parë dhe jam shumë i entuziazmuar. Nuk e kam takuar ende De Biazin, kam folur në telefon me të dhe mendoj se është trajneri i duhur për të rifilluar. Gjatë kohëve të fundit ka patur shumë probleme, edhe brenda vetë Federatës, nevojitej një ndryshim drejtimi, një projekt i qartë. Unë kam shumë besim, Shqipëria mund t’ia bëjë jetën të vështirë çdo kundërshtari”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 23 February 2012 21:52 