Ylli i skuadrës së Lilës, Eden Hazard, është i ndërgjegjshëm për interesimin e klubeve angleze në adresë të tij. Ai ka treguar se e dinte që trajneri i Mançester Sitit, Roberto Mançini, ishte në stadium për ta ndjekur në fitoren ndaj Valensien.
Futbollisti belg do të largohet gjatë verës dhe ka shprehur preferencën për të vazhduar karrierën në Angli. Kjo ka shtyrë trajnerin e Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson, të udhëtonte dy javë më parë drejt Francës ta shihte “live” në stadium lojtarin belg. Ndërkohë, edhe trajneri i Totenhem, Herri Redknap pranoi publikisht interesimin për mesfushorin.
Listës tani i është bashkuar edhe Mançester Siti, ku trajneri Mançini ka qenë një natë më parë në Francë për të parë nga afër lojtarin i cili shkëlqeu në fitoren 4-0.
“E dija që Roberto Mançini ishte në stadium për të më parë”, tregoi ai për “Canal+”. “Ma tregoi vetë trajneri Rudi Garsia. Por të them të drejtën nuk po mendoja shumë për të, po mendoja vetëm të luaja në maksimum. Gjatë sezonit po përqendrohem vetëm të Lilë. Pas përfundimit të tij do të shohim se çfarë mund të ndodhë”, deklaroi mesfushori belg. (LajmeShqip.com)
Monday, 19 March 2012 22:43