Mund të duket e çuditshme por trajneri i Anglisë, Roi Hodgson, nuk është tifoz i skuadrave angleze në këtë edicion të Ligës së Kampioneve, duke parashikuar se fituesi do të vijë nga Spanja apo Gjermania.
“Ekipet e mija favorite për këtë edicion janë Barcelona, Real Madrid dhe Bajern Mynih, por edhe Juventusi po punon mirë”, ishte deklarata e trajnerit anglez për “Gazzetta Dello Sport”. Kjo deklaratë duket e çuditshme duke parë se kundërshtarët e dy prej këtyre skuadrave janë skuadrat angleze të Mançester Junajtid dhe Arsenal. “Ata thjesht nuk kishin fat gjatë shortit”, shtoi më tej trajneri i “tre luanëve”, duke minimizuar shanset e këtyre dy ekipeve për të kaluar turin, duke lënë Anglinë teorikisht pa asnjë skuadër çerekfinaliste në këtë edicion.
Më pas, ai ka folur edhe për rrugëtimin që ka nisur me kombëtaren angleze, duke bërë të qartë se tani kishte mbështetjen e plotë të tifozëve, që dëshironin një trajner vendas dhe jo një të huaj si paraardhësit e tij, Erikson apo Kapelo.
“Tifozët janë të lumtur dhe besoj se vjen nga fakti që kombëtarja angleze ka një trajner anglez. Ne kemi pasur trajnerë të mirë edhe në të kaluarën. Por mendoj se në një shtet me histori kaq të rëndësishme futbolli si Anglia, Italia apo Gjermania, tifozët janë shumë më kritikë ndaj një tekniku të huaj’, shpjegoi ai. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 19 February 2013 17:40