Një deklaratë e bujshme ka ardhur nga Afrika, ku po zhvillohen hetime për rrjetin kriminal që manipulonte ndeshjet e kombëtares së futbollit të Zimbabve. I dyshuari kryesor, Uilson Raj Perumal, ka deklaruar se braziliani Ronaldo ka qenë i paguar për të mos luajtur mirë në finalen e Botërorit 1998, duke shtuar më shumë thashethemet rreth asaj që mbetet një nga misteret më të mëdha në historinë e Botërorëve.
Ronaldo zhvilloi një turne të shkëlqyer në Francë ’98, por në natën para finales ai pati probleme shëndetësore dhe një kolaps, i cili mendohet se iu shkaktua nga stresi i tepërt psikologjik. Por gazeta “Bild” ka publikuar sot lajmin se Perumal, i burgosur në Finlandë dhe anëtar kryesor i rrjetit të madh nga Singapori që ka manipuluar ndeshje në të gjitha kampionatet evropiane në vitet e fundit, pretendon se ka paguar Ronaldon në mënyrë që ky i fundit të bënte sikur ishte i sëmurë dhe të paraqitej keq në finale.
E vërteta rreth ngjarjes mbetet ende mister, pasi testet klinike treguan se lojtari nuk kishte asnjë problem të dukshëm shëndetësor dhe kjo ishte arsyeja pse ai vetë i kërkoi trajnerit Ziko të luante në finale, ndonëse ishte plotësisht në hije dhe nuk dha asgjë nga repertori i tij. Më vonë, trajneri i përfaqësueses braziliane pranoi se kishte aktivizuar futbollistin pasi i frikësohej kritikave nëse ai nuk do të kishte qenë në fushën e lojës, ndërsa u zbulua se edhe kompania “Nike” kishte insistuar që sulmuesi të zbriste në fushë, ndonëse nuk ishte dukshëm në formën më të mirë të mundshme.
Vetë Ronaldo deklaron se nuk mban mend asgjë nga kolapsi, ndërsa me dyshimet e reja, ngjarjes në fjalë i shtohet më shumë misteri, të paktën derisa FIFA të prononcohet zyrtarisht rreth kësaj ngjarje pasi mendohet se Perumal e ka bërë këtë deklaratë pikërisht përballë hetuesve të organizatës që drejton futbollin botëror, e cila po hetonte përfshirjen e tij në manipulimin e ndeshjeve të Zimbabve. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 30 October 2012 12:01