Trajneri i Internacional në Brazil, Karlos Dunga, mendon se mund të bindë sulmuesin e Milanit, Robinjo, se mund t’i bashkohet skuadrës së tij në verë duke u kthyer në vendlindje.
“Ai është një lojtar ndryshe dhe shumë klube e kanë ndjekur për një kohë të gjatë duke u munduar që ta kthejnë përsëri në Brazil”, tha Dunga. “Mua mu kërkua nga drejtuesit që të pyes nëse transferimi është i mundshëm. Unë kam kontaktet e njerëzve që punojnë me Robinjon dhe ia dhashë ato bashkëpunëtorëve të mi që të fillojnë bisedimet për të kuptuar çfarë mund të jetë më e përshtatshme për palët”.
“Ai ka treguar interes, por gjithçka do të varet nga situata të veçanta. Për të do të vendosin avokati dhe babai i tij”.
Shumë lojtarë brazilianë kanë vendosur që të kthehen në vendlindje gjatë kohëve të fundit, ndërsa emra të rinj si Neimar dhe Leandro Damiao, pavarësisht interesimit të klubeve evropiane, hezitojnë të lëvizin drejt Evropës.
“Kjo është koha e duhur, pasi shumë futbollistë po zgjedhin të kthehen në Brazil për arsye ekonomike. Vendi po ecën mirë dhe vitin tjetër këtu zhvillohet Botërori”, shpjegoi Dunga. “Shikueshmëria shton edhe mundësinë e të luajturit me kombëtaren. Unë garantoj se te Internacional ka një strukturë të mirë dhe kushte të shkëlqyera pune. Këtu nuk vonohen pagesat dhe kontratat respektohen”, ishte ftesa direkte që Dunga i bëri Robinjos për t’iu bashkuar skuadrës së tij. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 21 May 2013 09:31