Dëshira e klubeve kosovare për t’u regjistruar në kampionatin shqiptar të futbollit ka marrë një goditje të rëndë nga kreu i FSHF-së, Armand Duka, i cili ka treguar se sipas tij, rregullorja aktuale e pengon një gjë të tillë. Prishtina dhe Trepça ’89 kanë shprehur interesim për të bërë realitet një lëvizje të tillë, ndërsa kanë bërë të ditur edhe se kanë filluar procedurën për të bërë realitet një gjë të tillë.
Duka ka treguar se ka biseduar me presidentin e klubit të Prishtinës, Remzi Ejupi, duke i bërë të qartë se për momentin nuk gjen një zgjidhje për ta ndihmuar.
“Kam kontaktuar me presidentin e Prishtinës, Remzi Ejupi dhe kam biseduar me të. I kam thënë se nuk mund të regjistrohet Prishtina, sepse unë nuk shoh asnjë formulë adekuate. Ai kërkon që të ndërtojë një klub këtu. Gjithsesi të shohim, mua më duket e vështirë që ta nisë nga Superiorja”, ishin fjalët e Dukës në një intervistë të dhënë për “Supersport”.
Numri 1 i futbollit shqiptar ka deklaruar gjithashtu se pret më shumë në vitin 2013 nga kombëtarja shqiptare e futbollit, e cila sipas tij vazhdon të shfaqë probleme sa herë që luan jashtë fushës së saj.
“Futbolli matet me rezultate. Personalisht, mendoj se duhet të përmirësohemi dhe të dhurojmë futboll të bukur. Ajo që duhet të ndryshojmë ne, të cilën unë ia kam kërkuar trajnerit De Biasi, është që të eliminojmë sensin e inferioritetit kur luajmë jashtë. Ndodh shpesh që skuadra hyn si inferiore në fushat kundërshtare. Realisht, në fushat kundërshtare ne nuk arrijmë të shfaqim as 70-80 për qind të kapacitetit tonë”, ishte kritika e Dukës. (LajmeShqip.com)
Saturday, 02 February 2013 13:05