Nëse në të gjithë botën ka filluar një bashkëpunim shumëpalësh për zbardhjen e trukimeve dhe ndëshkimin penal të personave që merren me manipulimin e ndeshjeve të futbollit, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mendon se një gjë e tillë nuk është e nevojshme në Shqipëri. Këtë fakt ai e ka konfirmuar nëpërmjet një interviste, ku ka deklaruar se futbolli shqiptar duhet të zgjidhë vetë problemet e tij, ndonëse për momentin cilësohet më i manipuluari në botë nga raportet ndërkombëtare.
“Këto janë fenomene që kanë ndodhur gjithkund në vende të tjera, por kjo nuk duhet të shërbejë për t’u justifikuar, me idenë “hë mo se kjo ndodh edhe në vende të tjera”. Ne duhet të luftojmë fort. Në këndvështrimin tim nuk jam për të ndërhyrë Prokuroria, ashtu sikurse kam dëgjuar shpesh. Vetë faktorët dhe aktorët e futbollit, si dhe familja e futbollit duhet që të bëjë maksimalen për të mos pasur gjëra të tilla”.
“Duhet të angazhohen që nga futbollistët, trajnerët, presidentët, vëzhguesit, zyrtarët, delegatët, arbitrat, sepse asgjë nuk bëhet vetëm. Nuk është e vërtetë se shifrat që publikohen, apo dëshira që njerëzit kërkojnë ta baltosin çdo gjë dhe të bëjnë një futboll të pavërtetë. Shqipëria ka një futboll të vërtetë, ka një garë të vërtetë, ka një progres të vërtetë pavarësisht se shumë skeptikë nuk duan ta shohin këtë. Ka edhe fenomene, që kanë jetuar dhe të gjithë njerëzit janë këtu për këtë punë për ta luftuar këtë fenomen. Unë nuk besoj se do t’i eliminojmë të gjitha të këqijat e kësaj bote ndonjëherë”, u shpreh ai.
Nëse në vendet e tjera të njohura evropiane, protagoniste aktive e luftës kundër trukimeve ka qenë prokuroria dhe policia, duke angazhuar shpesh edhe organet ndërkombëtare si Interpoli, Duka çuditërisht mendon se zgjidhja mund të vijë nga Komisioni i Etikës, edhe pse ky i fundit prej shumë muajsh nuk ka dhënë thuajse asnjëherë një qëndrim publik për ndeshjet që diskutohen si të shitura.
“Vetë familja e futbollit, nëpërmjet Komisionit të Etikës që ka zgjedhur, duhet të pranojë një lloj dënimi me opinion. Është e vështirë t’i thuash futbollistit se e bëre gabimin me dashje apo pa dashje. E para është kjo dhe e dyta, që vetë futbollistët duhet të kuptojnë se ata, trajnerët, arbitrat dhe të gjithë ata që merren me futboll, qoftë edhe gazetarët sportivë, janë ata të interesuar, sepse në një lloj mënyre kanë lidhur biznesin apo jetën e tyre me këtë. Duhet të mos ta bëjnë këtë. A funksionon kjo do të themi? Një futbollist duhet ta dijë se, nëse prish produktin, do të jetë i pavlefshëm për atë biznes”, tha presidenti i FSHF në këtë intervistë të tij, ku pavarësisht këtyre problemeve të dukshme, i dha notën 6 kampionatit shqiptar të futbollit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 18 December 2012 16:49