Tiranë – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, u prononcua sot në lidhje me pezullimin e Federatës së Futbollit të Bosnje Hercegovinës nga ana e FIFA-s dhe UEFA-s, e cila ndikon direkt mbi fatet e grupit D eliminator të Euro 2012, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Sipas Dukës, pezullimi i Bosnjes duhet parë si një lajm i keq për botën e futbollit.
“Pezullimin e Bosnjes nga UEFA e konsiderojmë lajm të keq dhe nuk është se na vjen mirë. As ne, as skuadra nuk kemi menduar se çfarë do të ndodhi, por e kemi konsideruar si një kundërshtar të fortë. Uroj që Bosnja t’i kthehet futbollit”, u shpreh Duka.
Ndërkohë Duka foli edhe për kombëtaren shqiptare, duke e cilësuar si një ekip me rezultate të mira, por jo domosdoshmërisht si kombëtarja më e mirë.
Sipas Dukës, rruga që Kombëtarja ka nisur në këto eliminatore është e duhura, por duhet ende shumë punë për të arritur objektivat e përcaktuar.
Friday, 01 April 2011 13:09