Marrja e 3 pikëve në KAS duket një triumf për presidentin e FSHF-së, Armand Duka.
Shumë e akuzuan se nuk kishte vepruar si duhet në Beograd, 14 tetorin e vitit të kaluar, të tjerë folën për paaftësi të zyrtarëve të Kombëtares në raportin e hartuar mbas ndeshjes së ndërprerë, apo në korespondencën e momentit në dhomat e zhveshjes me zyrtarët e UEFA-s, por fitimi i betejës finale, në tavolinë, i jep të drejtë Dukës të bëjë ironi me skeptikët.
Megjithatë, duket se marrja e 3-pikëshit në Gjykatën Sportive të Lozanës është një mision i tejkaluar, sepse dita-ditës po afrojnë dy ndeshjet kualifikuese të shtatorit, shumë të rëndësishme dhe mjaft të vështira. Më 4 shtator do të luajmë në Kopenhagë ndaj danezëve, ndërsa më 7 shtator në “Elbasan Arena” ndaj portugezëve të Kristiano Ronaldos, kryesues të grupit tonë.
Edhe kreu i futbollit shqiptar kërkon të përqendrohemi në këtë drejtim, duke fashitur euforinë për vendimin e KAS-it dhe mbledhur forcat më shumë se kurrë, sepse finalet e “Euro 2016” janë më afër se kurrë, por ato kalojnë pikë së pari nga ndeshja e radhës me Danimarkën.
“Trajneri De Biasi ka bërë një punë të mirë me kombëtaren dhe duhet të jesh qorr, ose të mos marrësh vesh nga futbolli, të thuash të kundërtën. Në fakt, ndryshe nga paraardhësit e tij, trajneri italian i ka bindur të gjithë, sepse nuk shikoj ndonjë kontestues apo skeptik ndaj tij. Jemi në rrugën e duhur me të. Nëse më duhet ta vlerësoj me notë De Biazin, unë si president i FSHF-së i vendos “8”. Që të marrë notën 10, duhet të shkojmë në finalet e Evropianit të Francës,” – nënvizon mes të tjerash Duka.
Ndërkohë, së fundi trajneri i kombëtares kuqezi ka zbuluar për mediat italiane se ka marrë një ofertë shumë të mirë financiare nga një klub i huaj, por ka refuzuar, duke dashur të realizojë ëndrrën e shqiptarëve. Në krye të kuqezinjve, De Biasi kërkon të vijojë punën e nisur dhe të jetë finalist i “Euro 2016”.
“Kam dëgjuar për ofertën që i është bërë De Biasit nga një klub tjetër. E dija para se ta thoshte vetë trajneri në media. Me De Biasin kam folur personalisht për këtë dhe ai ma ka pohuar një gjë të tillë, por kam marrë përgjigjen aspak hezituese të tij se nuk lëviz nga stoli i Shqipërisë dhe nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë. Pra, ai do të respektojë kontratën me Shqipërinë,” – shpjegon kreu i FSHF-së.
Referuar shumës tunduese financiare të refuzuar nga De Biasi në krahasim me atë që merr në krye të Shqipërisë, presidenti Duka përgjigjet me humor dhe një batutë: “Kur më tha shumën e madhe të ofertës që i kishte bërë një klub nga Emiratet Arabe, i thashë eja e të shkojmë bashkë atje (qesh)”.
Duka ka qetësuar të gjithë shqiptarët se vendimi i KAS-it është i pakthyeshëm më, edhe nëse Serbia vazhdon betejën juridike në instanca të tjera më lart. “Tri pikët që na i dha KAS-i nuk na i shkulin dot as me vinç më. Jemi të tretët në renditje, në bazë të rregullores, sepse Danimarka ka shënuar në fushën tonë, ndërsa të gjitha “rekordet” e tjera në këtë aspekt i kemi të njëllojtë me Danimarkën. Shtatori po vjen. Ta mundim Danimarkën në fushën e vet dhe të mbyllim gjithçka për kualifikimin,” – përfundon Duka.
Tuesday, 21 July 2015 11:32