Didier Drogba është prezantuar para tifozëve të tij të rinj në Kinë duke deklaruar se lëvizja drejt Azisë nuk është bërë për para. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë u largua nga Çelsi dhe Evropa duke zgjedhur Shangai Shenhua, ndërsa sipas tij, ky vendim ishte marrë pasi e panjohura e jetës në këtë vend e tërhiqte më shumë.
“Vendosa të vij në Kinë pasi pronari i skuadrës (Zhun Ju) më tërhoqi. Kjo është një sfidë e madhe. Do të kishte qenë më e lehtë të luaja në një kampionat evropian. Por unë mora vendimin tim dhe zgjodha Kinën”, tha Drogba në konferencën e tij të parë për shtyp në Kinë, kur u prezantua para tifozëve të skuadrës së re.
“Paratë nuk janë gjëja më e rëndësishme. Më pret një mënyrë e re jetese këtu dhe shpresoj që t’i tregoj Kinës kulturën time, ndërsa të marr pak prej kulturës së këtij vendi me vete”, tha lojtari i cili beson se partner të sulmit në këtë skuadër do të ketë Nikolas Anelka, duke hedhur poshtë zërat për një largim të mundshëm të francezit.
“Para se të vija këtu kam lexuar gjëra të ndryshme por nuk mund të them shumë pa kontaktuar me të dhe pa njohur situatën e tij. Di vetëm që Anelka ka qenë duke më pritur dhe tani që jam këtu, nuk besoj se ai do të largohet. Sa herë që kam firmosur një kontratë të re me Çelsin, e kam respektuar atë. Ndaj them se do të jem përsëri këtu pas dy vitesh, sepse erdha për të luajtur dhe për të fituar tituj, jo për të dalë në pension”, ishte deklarata e sulmuesit 34 vjeçar. (LajmeShqip.com)
Saturday, 14 July 2012 14:10