Didier Drogba kërkon të luajë përsëri në Evropë dhe një gjë të tillë dëshiron ta bëjë që tani, pa pritur janarin. Sipas asaj që raporton gazeta franceze “L’Equipe”, sulmuesi nga Bregu i Fildishtë i ka kërkuar FIFA-s leje që të huazohet që në dhjetor në radhët e një skuadre evropiane dhe jo të presë afatin zyrtar që është fillimi i janarit.
Sulmuesi ka si qëllim që të paraqitet në maksimum në Kupën e Kombeve të Afrikës që zhvillohet në fundin e muajit janar dhe për këtë arsye dëshiron që të aktivizohet me një skuadër për të qenë në formën më të mirë.
Vetë FIFA ka bërë të qartë se po shqyrton kërkesën e futbollistit, por në të kaluarën ka hedhur poshtë pretendime të njëjta nga lojtarë si Devid Bekam, Tierri Henri dhe Landon Donovan, kur ata kërkonin që të huazoheshin përkohësisht në Evropë gjatë pushimit të kampionatit amerikan, MLS.
Destinacioni më i mundshëm i lojtarit pritet të jetë Çelsi, pasi sulmuesi do të stërvitet në ambientet e kësaj skuadre gjatë dhjetorit dhe janarit, para se të grumbullohet me kombëtaren e vendit të tij. Megjithatë, interesim për sulmuesin, ndonëse për një rol “episodik” kanë shfaqur edhe skuadra të tjera si Juventus, Liverpul, apo edhe Real Madrid. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 November 2012 10:15