Didier Drogba është i bindur se e di cila është zgjidhja e problemeve të Çelsit: kthimi i Zhoze Murinjos në drejtimin e skuadrës. Sipas tij, ai është krijuesi i skuadrës së lavdishme të viteve të kaluara dhe mund ta bëjë një gjë të tillë përsëri.
“Ai bënte shumë gjëra për ne. Ai më mbështeti dhe më ndihmoi. Të njëjtën gjë e bënte me të tjerët. Kjo është arsyeja pse e thërrisnim “Baba”. Nuk mendoj se Zhoze ka harruar Çelsin dhe nuk mendoj se Çelsi e ka harruar atë. Tifozët duan që ai të kthehet dhe ai e dashuron Çelsin. Zgjidhja më e mirë për klubin do të jetë të kthejë përsëri Zhoze”, tha sulmuesi që u bë iu famshëm me blutë në periudhën e lavdishme kur skuadra drejtohej nga portugezi.
“Ata kanë nevojë që të rindërtojnë skuadrën dhe t’i japin përsëri forcën që kishin disa vite më parë. Ai mund të jetë personi i duhur pasi është një fitues. Eksperienca e mëparshme ishte unike, por është si të ngasësh biçikletën, nuk e harron kurrë. Kjo është arsyeja pse Zhoze duhet të kthehet. Ai shkoi te Interi, tani është te Reali, por vazhdon të flasë për Çelsin, pasi e dashuron këtë klub”.
“Ai solli suksesin te Çelsi. Ne fituam dy tituj kampion dhe e vetmja gjë që nuk fituam me të ishte Liga e Kampioneve. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse ai dëshiron të kthehet, pasi ka ende punë të papërfunduar në klub”, shpjegoi sulmuesi që sonte do të vihet përballë Murinjos si kundërshtar në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 03 April 2013 14:35