Odilio Rodriguez, zëvendëspresidenti i Santos, ka bërë sot një deklaratë e cila tregon se transferimi i Neimar te Barcelona gjatë kësaj vere është më shumë se një spekulim mediatik. Nëpërmjet fjalëve të tij, të dhëna për “La Xarxa Ràdio Barcelona”, ai ka pranuar se marrëveshja mund të bëhet realitet shumë shpejt.
“Barça është një ekip i madh, luan një futboll shumë të bukur, me lojtarë të mëdhenj, do të jetë një klub i mirë nëse kjo do të jetë zgjedhja që do të bëjë Neimar. E dimë interesin e Barcelonës dhe interesin e vetë lojtarit, ky interes është shfaqur disa herë. Por vendimi përfundimtar varet vetëm nga Neimar. Si lojtari, ashtu edhe babai i tij që e përfaqëson, kanë thënë gjithmonë se vendimi do të jetë vetëm në dorën e Neimar”, shpjegoi Rodriguez.
“Ka edhe klube të tjera që interesohen për të, ashtu siç më ka shpjeguar vetë babai i tij. Por te Barcelona ai mund të bëjë një punë të shkëlqyer pasi do të ketë përkrah lojtarë të mëdhenj si Mesi e Iniesta”.
Megjithatë, ai konfirmuar se dëshira e Santos është që të tentojë të mbajë lojtarin, jo vetëm deri në vitin 2014, por edhe pas përfundimit të kontratës aktuale.
“Kemi filluar bisedimet me babain e tij për të rinovuar pas vitit 2014. Të gjithë tifozët e Santos ëndërrojnë për rinovimin e tij dhe ne e kemi treguar këtë dëshirë publikisht. Megjithatë, është e vështirë të konkurrosh ekonomikisht me skuadrat e mëdha spanjolle si Barcelona”, pranoi zëvendëspresidenti i Santos. (LajmeShqip.com)
Friday, 05 April 2013 20:48