Presidenti i klubit të Borusia Dortmund, Hans Joakim Uatzke, ka insistuar se Robert Levandovski nuk do të largohet nga klubi gjatë merkatos verore. Futbollisti ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij, por finalistët e Ligës së Kampioneve duket se kanë vendosur ta mbajnë atë, edhe pse kjo do të thotë të humbin relativisht shumë nga shitja e tij.
“Robert do të luajë por Borusia Dormtund në sezonin e ardhshëm. Ky është planifikimi i sigurt që kemi bërë”, tha Uatzke për mediat gjermane.
Sipas tij, çdo fjalë që është thënë për një akord verbal apo të shkruar mes drejtuesve të Borusia Dormtund, atyre të Bajern Mynih dhe Robert Levandovskit, është thjesht një trillim mediatik.
“Nuk ekziston asnjë premtim. Nuk ka asnjë marrëveshje verbale dhe asnjë marrëveshje me shkrim. Kjo është vetëm një gënjeshtër”, tha ai, duke përforcuar idenë se Levandovski nuk do të luante për Bajern Mynih, të paktën në sezonin e ardhshëm.
Sulmuesi 24 vjeçar polak iu bashkua Borusia Dortmund nga Leç Poznan në vitin 2010. Ai ka luajtur 139 ndeshje me fanellën e kësaj skuadre duke shënuar 75 gola. (LajmeShqip.com)
Monday, 17 June 2013 14:55