Shefi i përgjithshëm i Borusia Dortmund, Hans-Joakim Uatzke, ka hedhur poshtë të gjithë zërat që shohin Marko Reus dhe Mario Gëtze të largohen nga kampionët e Gjermanisë. Dyshja ka tërhequr vëmendjen e klubeve më në zë të Evropës falë paraqitjeve të tyre të jashtëzakonshme, por Uatzke mendon se ata do të qëndrojnë në këtë klub për të vazhduar të bëjnë progres në karrierën e tyre.
“Përse duhet që ata të largohen? Te ne ata kanë një ambient mjaft të qëndrueshëm, që është ajo për të cilën kanë nevojë futbollistët e rinj. Gjithashtu, me ne ata mund të fitojnë para dhe kanë siguruar që tani shumë sukses”, tregoi ai në një prononcim për “Bild”.
“Këtu ata kanë në dispozicion ambientet më të mira që i ndihmojnë të bëjnë progres si lojtarë dhe individë, ndaj cila është arsyeja për të cilën ata duhet të largohen?”, ishte pyetja e drejtuesit e të klubit gjerman.
I pyetur nëse ai do të ndërronte ndonjë prej këtyre lojtarëve me një prej yjeve të futbollit botëror, Uatzke u përgjigj me sinqeritet.
“A do t’i ndërroja me Kristiano Ronaldo? Sigurisht! Ronaldo ka aftësi individuale më të mira. Por duhet të jemi të sinqertë, nëse ai largohet nga Real Madrid, nuk do të vijë te Borusia Dortmund”, tha shefi i përgjithshëm i “kanarinave” që do të mundohen të shfaqin në kampionat atë formë të shkëlqyer që kanë shfaqur në Ligën e Kampioneve në këtë edicion. (LajmeShqip.com)
Friday, 09 November 2012 18:16