Kombëtarja italiane e futbollit ka mbetur pa bukë. “Të kaltrit”, që mbërritën të hënën në Brazil për të marrë pjesë në Kupën e Konfederatave, nuk kanë arritur të çdoganojnë dot ushqimet që kishin marrë nga Italia, ndërsa këto ushqime kanë mbetur të bllokuara në aeroportin e Rio de Zhaneiros.
Dogana ka bllokuar për momentin 200 kilogram makarona, 100 kilogram mish, 100 litra vaj dhe 40 kilogram djathë parmiggiano. Bllokimi ka ardhur pasi këto ushqime nuk kanë pasur me vete dokumentacionin përkatës dhe pavarësisht negociatave mes Ministrive të Jashtme të dy vendeve, ato kanë dy ditë në aeroport.
Një situatë e tillë ka detyruar tre kuzhinierët që kanë udhëtuar me kombëtaren e Italisë që të dalin menjëherë në treg për të blerë rezerva ushqimore për të gatuar për lojtarët, me shpresën që në të ardhmen të marrin edhe ushqimet që u janë bllokuar në aeroport në ditët në vazhdim.
Ndërkohë, kanë kaluar pa probleme 40 televizorët që italianët kanë marrë me vete nga vendi i tyre, nga të cilët katër janë të formatit gjigand 55” dhe përdoren për atë që quhet salla e lojërave. Aty italianët do të përfshihen në kampionatin e zakonshëm të video-lojërave, pasi lojtarët e kësaj përfaqësueseje kalojnë pjesën më të madhe të kohës së lirë duke sfiduar njëri-tjetrin në futbollin virtual. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 11 June 2013 14:28