Xhek, djali 12 vjeçar i një prej pronarëve të Uest Hem, Devid Salivan, u ka kërkuar falje nëpërmjet Twitterit të gjithë tifozëve të skuadrës. Shkak është bërë transferimi në formë huazimi në radhët e kësaj skuadre i sulmuesit Maruan Çamakh, një dështim absolut gjatë eksperiencës së tij te Arsenali.
I pakënaqur me huazimin e sulmuesit që është bërë objekt talljesh gjatë sezoneve të fundit për gabimet e shpeshta para portës dhe që nuk ka luajtur asnjë ndeshje në këtë sezon, Xhek nuk ka ngurruar të kritikojë punën e klubit të babait të tij.
“Më vjen shumë keq për këtë lajmin se Çamakh ka nënshkruar një marrëveshje huazimi për 6 muaj! Nuk është zgjedhja ime!”, ishte komenti i tij në Twitter, që u fshi shumë shpejt, me sa duket nga një urdhër familjar, ndonëse një tjetër po aq kritik mbeti i pandryshuar.
“Shpresoj që Çamakh të vërtetojë se e kam gabim”, ishte komenti tjetër i 12 vjeçarit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 05 January 2013 09:44