“Konfirmimi i Tiago Silva për Milanin ishte si një blerje e re, babai im ka treguar mjaft pasion duke konfirmuar kampionin tonë”. Këto janë fjalët e Pier Silvio Berluskonit, djalit të presidentit të Milanit, i cili flet për kuqezinjtë dhe atë që pritet në të ardhmen.
“Po për Balotelin nuk po më pyesni asgjë?”, ishte batuta e tij drejtuar gazetarëve. “Po ju them kush më ka çuditur pozitivisht në këtë Evropian, me përjashtim të Iniestës që është një kampioni i konfirmuar: anglezi Keroll, mendoj se i ngjan pak Ibrahimoviç…”.
“Pato? Shpresojmë të shpërthejë një herë e përgjithmonë, ky mund të jetë viti i duhur për të ardhmen e tij”, ka treguar ai duke konfirmuar se objektivi i kuqezinjve është të rinovojnë përbërjen, arsye pse janë larguar shumë prej veteranëve të skuadrës.
“Ky është një Milan më i ri, është e drejtë që herë pas here të ndryshohet dhe të punohet me një projekt të ri. Po lind një skuadër e re dhe motra ime Barbara ka pasionin që nevojitet për këtë ndryshim”.
“Montolivo? Ka personalitet. Në Evropian, me përjashtim të penalltisë së humbur në çerekfinale, ka shkëlqyer”, deklaroi ai. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 July 2012 14:10