Ngjarjet e rënda në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu-Flamurtari, ku u gjakos gjyqtari anësor Ridigers Çokaj, janë shqyrtuar nga Komisioni i Disiplinës, i cili ashtu siç pritej ka dënuar të dy skuadrat.
Nga njëra anë, përgjegjësit efektivë për sigurinë e gjyqtarëve në ndeshje, klubi i Skënderbeut, është dënuar me 8 ndeshje në fushë asnjanëse “për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës, duke shkaktuar goditje të zyrtarit të ndeshjes gjatë ndeshjes dhe ndërprerje të përkohshme të lojës”. Edhe zëvendëstrajneri i klubit korçar, Lorenc Hysi, është dënuar me dy ndeshje pezullim dhe 100 mijë lekë gjobë, pasi gjatë ndërprerjes së ndeshjes ka debatua ashpër me trajnerin e Flamurtarit, Shkëlqim Muça, duke u ndëshkuar me karton të kuq. Dënimet për Skënderbeun ishin mëse të pritshme, pasi nëpërmjet tyre, KDS ka dashur të theksojë se nuk favorizon aspak klubin korçar, siç është aluduar nga ekipe të tjera gjatë dy sezoneve të fundit.
Si për ironi të fatit, prapë më i dëmtuar nga kjo mesele ka dalë klubi i Flamurtarit. KDS, jo vetëm që nuk ka pranuar kërkesën e vlonjatëve për tri pikët në tavolinë, por edhe u ka hequr atyre 3 pikë nga renditja në grup në Kupë “për refuzim për të luajtur një ndeshje që ka filluar”. Edhe shefi i klubit Flamurtari, Geri Çipi, është pezulluar nga të gjitha veprimtaritë futbolliste për një vit pas ka qenë nxitësi kryesor i tentativës për të braktisur ndeshjen.
Vendimet e KDS-së do të apelohen nga të dy klubet, të cilat janë të pakënaqura me përfundimet e këtij komisioni. Sidomos vlonjatët, janë shfaqur shumë të acaruar pasi sipas tyre drejtësia ka mbyllur përsëri sytë para ngjarjeve të turpshme. Ata kanë paralamëruar se do të reagojnë në ndeshjet në fushën e tyre ku minimalisht do të ketë protesta të tifozerisë kundër FSHF-së dhe drejtuesve të saj. (LajmeShqip.com)
Friday, 03 February 2012 19:03