Fenerbahçe lajmëroi se ka arritur të blejë për 1 milion paund nga Liverpuli sulmuesin holandez Dirk Kajt dhe se ai ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me klubin gjigand turk.
Lojtari 31 vjeçar, i cili u bë pjesë e ekipit anglez në vitin 2006 pasi kishte shkëlqyer në vendlindje me Fejenord, nuk arriti të gjente shumë hapësira gjatë sezonit të fundit me Keni Dalglish dhe ishte i ndërgjegjshëm që situata do të vazhdonte edhe në sezonin e fundit të mbetur në kontratën e tij. Lajmi u konfirmua edhe nga vetë klubi anglez. “Liverpul konfirmon se Dirk Kajt ka lajmëruar klubin se ka arritur një marrëveshje sot me klubin e Fenerbahçe dhe se transferimi zyrtar do të plotësohet në ditët në vazhdim”.
Lojtari dihej se do të largohej gjatë verës, ndërsa kishte deklaruar pak ditë më parë se ishin shumë klube të interesuara për shërbimet e tij. Fillimisht u tha për një interesim të Hamburgut e më pas për një kthim te Fejenord, por duket se ai ka zgejdhur ekipin turk, i tërhequr nga ideja për të luajtur përsëri në Ligën e Kampioneve.
Fenerbahçe do të luajë në turin paraeliminator të turneut pasi e ka mbyllur sezonin në Turqi në vendin e dytë në renditje. Por fjala e fundit nuk është thënë ende nga Federata Turke e Futbollit, e cila mund të vendosë të lërë këtë klub përsëri jashtë Kupave të Evropës për një tjetër sezon, ashtu si në atë 2011-2012, për shkak të përfshirjes së drejtuesve të skuadrës në skandalin e manipulimit të rezultateve të ndeshjeve.
Kajt largohet nga Liverpuli me vetëm një trofe të fituar gjatë 6 sezoneve me këtë skuadër, Kupën Karling, të cilën “të kuqtë” e morën përballë Kardif vetëm falë gjuajtjeve të 11-metërshave në sezonin që sapo përfundoi. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 June 2012 17:01