Diktatori Robert Mugabe, një prej personave që akuzohet vazhdimisht për krime kundër njerëzimit gjatë regjimit të tij në Zimbabve, ka treguar në një bashkëbisedime me disa futbollistë afrikanë se ai adhuron skuadrën e Çelsit.
88 vjeçari i ka thënë kapitenit të përfaqësueses së Zimbabve, Benxhani Muaruari: “Jam një tifoz i Çelsit dhe Barcelonës e dua që ata të shënojnë gjithmonë”.
Diktatori ka treguar gjithashtu se ishte një tifoz futbolli kërkues që pretendonte të kishte qetësi rrotull tij kur ndiqte ndeshjet në televizor në shtëpi.
“Kur shoh futboll, nuk dua të më shqetësojë askush. Edhe gruaja e di se ku duhet të ulet, pasi në momentet ku lojtarët shënojnë në fushë, shënoj edhe unë në shtëpi duke shkelmuar çdo gjë qa kam përpara. Kam shënuar shumë gola në shtëpi por mbaj mend se kam shënuar vetëm një gol kur luaja futboll në moshë të re”.
Mugabe u takua me futbollistët në Harare për një ndeshje të organizuar në nder të 33 vjeçarit Benxhani që luan për Portsmuth.
Mes yjeve në këtë ndeshje ishin edhe senegalezi El Haxhi Diuf, nigeriani Nuankuo Kanu dhe ganezi Xhon Pantsil.
Mugabe, i cili drejton Zimbabven që nga viti 1980, akuzohet se ka orkestrua vazhdimisht krime kundër njerëzimit për të fituar pushtetin dhe pastaj për ta mbajtur atë me dhunë. (LajmeShqip.com)
Monday, 28 May 2012 10:50