Volfsburg është gati të dënojë brazilianin Diego duke e dërguar në radhët e ekipit të dytë, që do të thotë se në sezonin e ardhshëm, fituesi i Europa League pak muaj më parë mund të luajë në kategorinë e katërt të futbollit gjerman.
Lojtari ishte i huazuar në sezonin e kaluar te Atletiko Madrid, ndërsa kërkon që të largohet sa më parë nga skuadra gjermane, me drejtuesit e të cilës nuk ka marrëdhënie të mira, duke filluar nga trajneri Magath.
Braziliani mendohej se do të kalonte të Flamengo ose do të kthehej te Atletiko Madrid, por të dyja lëvizjet nuk u realizuan për shkak të kapriçove të vetë lojtarit dhe ka shumë mundësi që të mbetet në Gjermani pasi aktualisht asnjë skuadër nuk është gati ta marrë.
Edhe trajneri i skuadrës ë dytë të Volfsburg, Lorenc Gunter Kostner, ka bërë të qartë se nëse një gjë e tillë do të ndodhë, Diego nuk do të trajtohet si yll, por si i barabartë me të gjithë futbollistët e tjerë të skuadrës.
“Nëse Diego bëhet pjesë e skuadrës tonë, do t’i them se do të aktivizohet ashtu si çdo lojtar tjetër që kemi në skuadër”, deklaroi ai për “Bild”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 22 July 2012 09:20