Mesfushori brazilian Diego nuk ka humbur kohë të kritikojë ish-trajnerin Feliks Magath, të cilin e ka cilësuar të keqen më të madhe të Volfsburgut dhe shkaktarin kryesor të rezultateve negative të ekipit. Në fakt, në takimin e parë pas largimit të trajnerit, Volfsburgu ka fituar lehtësisht 4-1 në fushën e Fortuna Dyseldorf dhe Diego ka qenë një nga protagonistët pozitivë të ndeshjes.
“Tani jemi të lirë nga diktatura e Magath, jemi të ndërgjegjshëm për forcën tonë, kemi luajtur pa atë frikën e gabimit që ekzistonte në kohën e Magath dhe kjo është arsyeja pse kemi bërë një ndeshje të madhe”.
“Jemi argëtuar në këtë ndeshje. Iu gëzuam të 90 minutave që luajtëm. Shpresoj që ish-trajneri ynë të jetë i lumtur, ashtu si jemi ne tani. Të gjithë lojtarët ishin të lirë, askush nuk kishte frikë të gabonte”, vijoi ai në intervistën e tij për “Bild”.
Braziliani ka bërë të qartë se skuadra nuk do ta kishte problem nëse trajneri i përkohshëm, Lorenz Gunter Kostner do të vazhdonte punën e tij. “Ai arrin të përgatitë çdo lojtar me respekt dhe në mënyrë inteligjente”, ishte vlerësimi i Diego. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 30 October 2012 11:20