Futbollisti brazilian Diego i ka mbyllur dyert vetes për një kthim te Atletiko Madrid me sjelljen e tij. Lojtari, i cili në sezonin e kaluar u huazua nga Volfsburg te ekipi spanjoll, ka prishur marrëdhëniet me këtë skuadër për vetëm 60 mijë euro.
Ky në fakt është një nga bonuset që përfitonin të gjithë lojtarët e Atletiko Madrid për fitoren e Europa League në sezonin e kaluar. Klubi kishte bërë të qartë se këto para do t’u kalonin futbollistëve në fund të verës, por Diego është treguar i padurueshëm.
Ai ka denoncuar Atletiko Madrid në Federatën Spanjolle për mospërmbushje të detyrimeve financiare, duke i mbyllur derën vetes përfundimisht të ky klub që po mendonte seriozisht të blinte kartonin e tij nga klubi gjerman, tek i cili ai shihet si i padëshirueshëm.
Për t’i mbyllur gojën lojtarit dhe për të mos shkuar në gjyqe sportive të panevojshme, drejtuesit e Atletiko Madrid kanë bërë menjëherë pagesën e 60 mijë eurove në llogarinë e tij bankare.
Por njëkohësisht, ata kanë bërë të qartë se nuk duan të dëgjojnë më për të, duke hequr përfundimisht dorë nga transferimi i tij, edhe pse një sezon më parë, Diego kishte qenë ndër lojtarët vendimtare që i dha suksesin ndërkombëtar. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 July 2012 13:20