Lasana Diarra ka shpjeguar se transferimi i tij te Anzhi Makhashkala lindi nga dëshira për të luajtur përkrah Samuel Eto’o dhe jo nga dëshira për një rrogë më të lartë. Futbollisti 27 vjeçar u transferua në ditën e fundit të merkatos së verës nga klubi madrilen, pasi kishte humbur vendin si titullar në radhët e kësaj skuadre, ndërsa nënshkroi për 4 vite me ekipin nga Dagestani.
Marrëveshja çuditi shumë njerëz, pasi për lojtarin interesoheshin emra të mëdhenj të futbollit evropian, skuadra si Milan dhe Fenerbahçe, të cilat i ofronin mundësinë që të qëndronte në arenën e futbollit të rëndësishëm evropian.
“Spartak Moskë tregoi interes gjatë verës. Por në atë periudhë, unë isha i përqendruar tërësisht te Real Madrid. Në përgjithësi nuk dua të flas për klubet që u interesuan për mua. Anzhi u interesua më shumë se të tjerët, por gjëja më e rëndësishme për mua është se Samuel Eto’o luan këtu. Ai është si një vëlla i madh për mua ndaj dua që të fitojmë së bashku”, shpjegoi Lasana Diarra gjatë prezantimit të tij te skuadra e re.
Ai hodhi poshtë të gjitha zërat se kishte ardhur në Rusi vetëm për para, sepse i ishin premtuar shuma që nuk mund t’i fitonte kurrë në futbollin e Evropës Perëndimore.
“Gjatë karrierës time, kam luajtur për disa prej skuadrave më prestigjioze evropiane dhe më besoni kur ju them se kam fituar mjaftueshëm trofe dhe më kanë paguar mjaftueshëm. Ndaj nuk vi këtu për paratë. Ata që e besojnë një gjë të tillë, duhet të vinë të shohin ndeshjet, të analizojnë paraqitjet e mia dhe të më thonë pastaj pse mendojnë se unë zgjodha të vi te Anzhi”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 11 September 2012 11:01