Roberto Di Mateo do t’i japë lamtumirën Çelsit nëse nuk i ofrohet një kontratë afatgjatë si trajner i kësaj skuadre. Italiani është mërzitur kur ka mësuar se Roman Abramoviç do t’i ofrojë atij një kontratë të re “prove” prej 12 muajsh dhe jo një kontratë afatgjatë siç mund të vepronte me çdo trajner tjetër.
Di Mateo mendon se fitorja në Ligën e Kampioneve dhe në Kupën FA ishte e mjaftueshme për të treguar aftësitë e tij dhe për të siguruar përfundimisht vendin në stolin e skuadrës londineze. Sipas “The Sun”, tekniku ka vendosur që të mos qëndrojë në provë edhe një tjetër vit, duke e ditur se ofertat ndaj tij nuk do të mungojnë.
Ai është i interesuar të marrë përsipër detyrën si trajner i Aston Vilës, ndërsa ka ende një shtëpi në këtë zonë falë detyrës së mëparshme si trajner i Uest Bromuiç.
Shefi ekzekutiv i Çelsit, Ron Gurlei, ka konfirmuar se italiani do të jetë personi i parë me të cilin do të diskutohet për sezonin e ardhshëm, por ka lënë të kuptohet se konfirmimi i tij nuk është i vendosur, pavarësisht suksesit të këtij sezoni.
“Ne e dimë që Robi mund të shkojë në ndonjë skuadër tjetër. Por ai e dinte që në fillim se si do të rridhnin ngjarjet. Ai është i ndërgjegjshëm se sapo të fillojmë bisedimet, ai do të jetë personi i parë me të cilin do të flasim”.
Të gjithë lojtarët e Çelsit i kanë shprehur besnikëri Di Mateos dhe i kanë kërkuar publikisht klubit që të caktojë përfundimisht italianin në këtë detyrë, pasi në vetëm 11 javë ka arritur të fitojë dy trofe shumë të rëndësishëm për këtë skuadër. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 May 2012 08:40