Trajneri i Çelsit, Roberto Di Mateo, do të kthehet sot si kundërshtar te skuadra e Uest Bromuiç, të cilën e drejtoi një vit më parë dhe mendon se shkarkimi nga drejtimi i saj e ndihmoi më shumë për t’u bërë kampin i Evropës me londinezët.
Di Mateo drejtoi Uest Bromuiç nga kategoria e dytë në elitën e futbollit anglez në vitin 2010, por u shkarkua nga puna në shkurtin e vitit 2011. Pas disa muajsh i papunë, ai arrit të bëhej pjesë e stafit teknik të Çelsit dhe pas largimit të Vijas Boas u kthye në trajnerin e parë të skuadrës me të cilën fitoi Kupën FA dhe Ligën e Kampioneve.
“Shihni ku po ulem tani, nuk mendoj se shkarkimi im nga detyra ishte një gjë aq e keqe”, tha italiani gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes me ish-skuadrën e tij. “Në karrierën e një trajneri, vjen një pikë kur shkarkohesh nga detyra dhe kjo të bën zakonisht më të fortë”.
Uest Bromuiç, surpriza e këtij sezoni, drejtohet nga Stiv Klark, ish-zëvendëstrajner te Çelsi, që ka marrë drejtimin e këtij klubi në atë që është eksperienca e tij e parë në drejtimin e një skuadre.
“Kur unë luaja përkrah Robertos, nuk e parashikoja të bëhej një trajner në të ardhmen. Kur drejtoja ekipin e të rinjve te Çelsi, ai u shfaq papritur një ditë dhe po qëndronte përkrah meje duke kërkuar të dinte se çfarë po bëhej”, tregoi Klark rreth periudhës kur Di Mateo kishte filluar të mendonte seriozisht të bëhej një trajner. (LajmeShqip.com)
Saturday, 17 November 2012 12:20