Roberto Di Mateo ka qenë mjaft i mërzitur pas përfundimit të ndeshjes mes Çelsit dhe Juventusit, fillimisht me gjykimin e portugezit Pedro Proença, e më pas edhe me skuadrën e tij që nuk arriti të mbronte avantazhin e dy golave në takimin që përfundoi barazim 2-2.
Trajneri i londinezëve beson se kishte një penallti në favor të skuadrës së tij, ndërsa edhe Bonuçi duhej ndëshkuar për faullin e rëndë që kreu ndaj brazilianit Oskar.
“Ishte një faull i rëndë dhe mu desh ta zëvendësoja, duhet ta kontrollojmë pasi bëhej fjalë për kyçin e këmbës. Por gjyqtari nuk është se ndihmoi shumë në ndërhyrje të tilla. Ndeshja për ne ka mbaruar, por UEFA do të bënte mirë t’i hidhte një sy përsëritjeve. Edhe faulli ndaj Hazard ishte penallti. Ai u shty nga kundërshtari dhe për ne është ndeshja e dytë radhazi që gjyqtari nuk e sheh një gjë të tillë”.
“Ndjehemi të zhgënjyer pasi e pamë veten në një pozicion fantastik për të fituar këtë sfidë dhe në fund të saj dolëm vetëm me një barazim. Në momentin e golit të Kualjarelës duhej ta kishim administruar më mirë situatën, pasi nuk kishte presing ndaj mbajtësit të topit dhe ishte shumë e vështirë të luhej pozicioni jashtë loje. Luajtëm kundër një skuadre të mirë, por duhej ta kishim mbyllur ndeshjen dhe të kishim siguruar fitoren”, ishin fjalët e trajnerit të Çelsit, i cili ka qenë i kënaqur vetëm me paraqitjen e Oskar në ndeshjen e tij të parë si titullar, ku braziliani shënoi dy gola.
“Ishte një debutim fantastik. Mendoj se ishte gjëja e duhur ta aktivizoja që në fillim. Ai bëri një punë të shkëlqyer taktike dhe shënoi dy gola, ky njëri ishte brilant. Është diçka e shkëlqyer që kemi një lojtar të tillë në radhët tona”, tha Di Mateo. (LajmeShqip.com)
Thursday, 20 September 2012 09:20