Roberto Di Mateo e ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme karrierën e tij si trajner i parë i Çelsit, duke udhëhequr këtë skuadër drejt suksesit 2-0 ndaj Birmingem, që i ka siguruar pjesëmarrjen në çerekfinalet e Kupës FA.
Nëse në fillimin e ndeshjes tifozët e shumtë të Çelsit që ndiqnin ndeshjen këndonin vetëm emrin e Zhoze Murinjos, në fundin e takimit, këngët që dëgjoheshin në shkallët e stadiumit ishin të gjitha për Di Mateon, një ish-futbollist i londinezëve.
Ky i fundit nuk respektoi hierarkitë e skuadrës, ashtu si Andre Vijas-Boas, duke lënë në stol emra si Lampard, Drogba dhe Esien, ndërsa aktivizoi si titullarë Meireles, Kalu, Mikel dhe Torres. Golat erdhën në pjesë e dytë, ku fillimisht Mata e pastaj Meireles gjetën rrugën e rrjetës për t’i dhënë qetësi Di Mateos i cili ka për detyrë të drejtojë skuadrën deri në fundin e këtij sezoni.
“Ne përballuam një punë të vështirë pas ngjarjeve të ditëve të fundit. Shenja më e mirë ishte që lojtarët u përqendruan në fushën e lojës. Ata treguan përgjegjësi ndaj vetes, klubit, tifozëve dhe presidentit. Për ne është shumë e rëndësishme të përfundojmë në vend të katërt. Është bonus nëse arrijmë të fitojmë ndonjë trofe”, ishin fjalët e Di Mateos pas ndeshjes. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 07 March 2012 09:31