Angel Di Maria është një nga lojtarët që pritet të largohet nga Real Madrid në fund të këtij sezoni, pasi drejtuesit e klubit janë të sigurt se mund të përfitojnë më shumë nga shitja e tij se mbajtja në ekip. Jo rastësisht, në ditët e fundit, madrilenët kanë pasur kontakte me Mançester Sitin, Mançester Junajtid dhe PSZH, të cilat janë interesuar për lojtarin në fjalë, gati të bëjnë lëvizjen e tyre
Interesimi i PSZH dhe Mançester Junajtid dihej prej kohësh, pasi ata kishin ndjekur lojtarin që para se të rinovonte me Realin, duke kërkuar shpesh që ta transferonin. Këtyre dy skuadrave i është bashkuar edhe Mançester Sitit, pas insistimit të Ferran Soriano, i cili mendon se mund të bëjë një ofertë preferenciale falë marrëdhënieve të mira me presidentin e Realit, Florentino Perez.
PSZH mendon se është në një pozicion të favorshëm, pasi në radhët e kësaj skuadre aktivizohen dy miq të afërt të futbollistit, argjentinasit Pastore e Laveci, me të cilët shoqërohet edhe në radhët e përfaqësueses.
Ndërsa Mançester Junajtid i ka bërë të qartë futbollistit se paratë nuk janë gjithmonë më të rëndësishme, duke i dhënë shembullin e Van Persi, pasi janë trofetë ata që bëjnë diferencën.
Në një situatë të tillë, drejtuesit e Real Madrid fërkojnë duart, pasi mendojnë se vlera e futbollistit do të kalojë 35 milion eurot, shifër që tre skuadrat e mësipërme nuk do të kishin problem të paguanin për një futbollist 25 vjeçar që ka ende shumë vite futboll para. (LajmeShqip.com)
Friday, 03 May 2013 19:36