Angel Di Maria dhe Rikardo Kaka janë shumë pranë lamtumirës nga Real Madrid. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, dy mesfushorët mund të largohen shumë shpejt nga Reali, mundësisht që gjatë merkatos së janarit, pasi Zhoze Murinjo duket se i ka nxjerrë jashtë planeve të tij për të ardhmen.
Për Di Marian, gjithçka ka lidhej me faktin se ai është shfaqur jashtë forme në këtë sezon, gjë të cilën trajneri ia ka vënë në dukje edhe para shokëve të tij të skuadrës. Sipas asaj që raporton “Marca”, tekniku portugez ka shpërthyer kundër argjentinasit, duke i kujtuar se nuk është më në nivelet e mëparshme.
“Ti nuk po luan më. Kur fitojë pak para, luaje më shumë. Sapo rinovove, nuk luan më as shumë e as pak”, ishte shpërthimi i trajnerit portugez ndaj futbollistit të cilin e afroi vetë në radhët e madrilenëve dhe të cilin më parë e ka vlerësuar si një pjesë të rëndësishme të projektit të tij. Për mesfushorin janë ankuar edhe shokët e skuadrës. “Tani nuk vrapon më si më parë”, ishin fjalët e një burimi brenda skuadrës për gazetën spanjolle.
Ndërsa për Kaka, Reali ka vendosur të heqë qafe brazilianin sapo t’i jepet rasti i parë. Sipas mediave spanjolle, madrilenët duan të shpëtojnë nga rroga e tij e rëndë që kalon 10 milion eurot në sezon dhe si rrjedhojë janë të gatshëm ta japin edhe falas, duke parë se vetë futbollisti as që planifikon të largohet. Problemi është se inaktiviteti i tij ka larguar të gjithë pretendentët dhe për lojtarin brazilian interesohen vetëm skuadra të dorës së dytë, ose ato që për momentin nuk janë në gjendje të paguajnë rrogën e tij stratosferike. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 15 January 2013 17:57