Tiranë-Federata Shqiptare e Futbollit ka dënuar ekipin e Laçit të luajë jashtë fushës së vet dhe pa tifozë ndërsa i ka zbritur 6 pikë nga renditja në Superligë.
Vendimi erdhi pas dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarit të FIFA-s Lorenc Jemini, ditën e djelë pas përfundimit të ndeshjes Laçi-Kastrioti, kur presidenti i ekipit të Laçit dhe dhjetra tifozë goditën gjyqtarin e FIFA-s, Lorenc Jemini dhe lojtarët e Kastriotit.
FSHF gjithashtu ka vendosur pezullimin për 2 vjet të presidentit të Skuadrës së Laçit, Pashk Lasa, 2 vjet pezullim nga aktivitetet futbollistike të zëvendës trajnerit Ardian Laska, dhe po të njëjtën masë disiplinore edhe ndaj trajnerit të portierëve Kastriot Rama.
Ndërkaq veç drejtësisë sportive u vu në lëvizje edhe prokuroria e Kurbinit, e cila një ditë më parë nxorri dy urdhër-arreste për zëvendës trajnerin e ekipit të Laçit, Ardian Laska dhe Dod Laska, vëllai i presidentit të ekipit të Laçit.
Ata akuzohen për goditje për shkak të detyrës, pasi ushtruan dhunë ndaj gjyqtarit të ndeshjes Laçi-Kastrioti, Lorenc Jemini. Në fillim policia arrestoi zëvendës trajnerin Ardian Laska dhe zëvendës presidentin Dodë Laska, ndërsa më pas u bë e ditur se i akuzuar për ngjarjen është edhe presidenti Pashk Laska.
Masat vijnë pas një dhune të pashembullt të ushtruar ndaj gjyqtarit në takimin e javës së 11-të të Superligës, pamjet e së cilës ishin shokuese për të gjithë. Ndërkohë, nën akuzë për goditje për shkak të detyrës janë edhe tre persona të tjerë: Agron Kalthi, Kastriot Rama dhe Arjan Laska.
Ata rrezikojnë tashmë gjobë dhe deri në 3 vjet burg, sanksione këto të parashikuara nga neni 237 i Kodit Penal. Ditën e mërkurë priten edhe sanksionet sportive, që do të jepen nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 07 December 2011 17:56