Trajneri i Francës, Didier Deshamp, ka premtuar se kombëtarja që drejton nuk do të luajë në mbrojtje në takimin vendimtar të grupit kundër Spanjës që luhet ditën e martë në Paris. Fitorja 3-1 ndaj Gjeorgjisë e kombinuar me barazimin 1-1 të Spanjës ndaj Finlandës ka vënë në një pozicion më të favorshëm Francën që kryeson grupin përballë Kampionëve të Botës dhe fituesve të dy Kampionateve Evropianë të fundit.
“Të luash me Spanjën dhe të mendosh për mbrojtjen nuk është zgjidhje. Gjëja më e rëndësishme është të mbajmë vendin e parë në grup edhe pas ndeshjes të së martës, por sidomos pas përfundimit të të gjitha ndeshjeve në grup. Barazimi i Finlandës ishte një surprizë, por kjo tregon se sa e vështirë është të luash ndaj çdo skuadre. Ne deri tani kemi bërë detyrën tonë, tani mbetet të shohim se çfarë mund të bëjmë të martën”, tha Deshamp.
Pavarësisht rëndësisë së kësaj fitoreje, trajneri i Francës ka treguar se është ende i pakënaqur për shkak se ekipi i tij pësoi një gol ndaj Gjeorgjisë.
“Gjëja më e rëndësishme për ne ishte të fitonim. Por mua më shqetëson fakti se pësuam gol pasi ishim shumë të relaksuar në fundin e ndeshjes. Kemi shënuar tre gola por unë jam një trajner perfeksionist dhe dua gjithmonë maksimumin”, tha Deshamp. (LajmeShqip.com)
Saturday, 23 March 2013 09:49