Marsel Desaji beson se PSZH ka fituar varësi të dukshme ndaj Zlatan Ibrahimoviç dhe mendon se Karlo Ançeloti nuk ka gjetur ende një sistem taktik që i përshtatet lojtarëve që ka në dispozicion.
Sipas ish-mbrojtësit të Francës, skuadra parisiene duhet të gjejë sa më shpejt një ekuilibër në lojën e saj në mënyrë që të pretendojë për titull, ndërsa pret që Laveci të marrë një rol më të rëndësishëm.
“Ata janë shumë të varur pas Ibrahimoviç. Karlo Ançeloti tani ka nevojë të gjejë një sistem që i përshtatet më mirë atij. Ndërsa në momentin kur Ezekiel Laveci luan, duket se të gjithë lojtarët e ndjejnë praninë e tij në fushë dhe ekipi balancohet”.
“Nuk është e lehtë për PSZH. Lojtarët nuk duhet të përkulen para trysnisë të faktit se të gjithë presin gjëra të mëdha sa herë që ata futen në fushën e lojës”.
“Fitorja ndaj Trua ishte një rezultat masiv, pasi ishte suksesi i parë në tre ndeshjet e fundit në kampionat. Besimi nga ky rezultat do t’i lejojë ata të kenë një armë më shumë në takimet e ardhshme”, tha Desaji për klubin e kryeqytetit francez.
Suksesi 4-0 në fundjave ka ngjitur në vendin e parë në kampionatin francez skuadrën e drejtuar nga Karlo Ançeloti, që tashmë mban këtë pozitë falë një golavarazhi më të mirë se Olimpik Marseja. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 27 November 2012 09:25