Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, mbetet një nga personazhet më problematikë në skenën e futbollit shqiptar, pasi është bërë shpesh protagonist i ngjarjeve shumë të rralla dhe aspak të bukura sa herë që shfaqet në tribunën e stadiumit.
Këtë herë, deputeti i Peqinit, ka qëlluar me armë zjarri në ambientet e stadiumit të qytetit të tij, në ndeshjen Shkumbini-Flamurtari, të fituar me rezultatin 1-0 nga skuadra vendase.
Krismat me armë janë dëgjuar në të gjithë stadiumin, duke tronditur disi të pranishmit, ndonëse të gjithë e kanë hamendësuar menjëherë se kush mund të ishte protagonisti i kësaj ngjarje, të mësuar me bëmat e deputetit që sistematikisht kërcënon apo godet gjyqtarët dhe lojtarët kundërshtare pa u ndalur nga askush. Çështja “Sula”është diskutuar shpesh edhe në FSHF, ku disa herë është ideuar edhe një ankesë zyrtare kundër tij, drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si dhe forcës politike që ai përfaqëson.
Gjuajtja me armë e deputetit brenda ambienteve të stadiumit në shenjë festimi për golin e shënuar nga skuadra e Peqinit, është konfirmuar edhe nga FSHF, ndërsa të vetmit që nuk kanë parë apo dëgjuar asgjë kanë qenë si zakonisht forcat e policisë të qarkut të Elbasanit. Sipas tyre, një ngjarje e tillë nuk ka ndodhur në stadium dhe gjithçka ishte trillim, ashtu si çdo herë që përmendet emri i deputet Sula, që pavarësisht “bëmave futbollistike”, vazhdon të hyjë rregullisht në stadium, me sa duket edhe i armatosur. (LajmeShqip.com)
Sunday, 06 May 2012 10:01