Julio Rey i mbyll vetes derën për në futbollin e rëndësishëm. Mund të shpresonte drejt një arene prestigjoze lojtari i rritur në radhët e të rinjve të Espanyol, por pasioni i tij për rrjetet sociale i prish planet e jetës. Pak orë pas firmës së hedhur në kontratën e Deportivo La Corunas, 17-vjeçari është detyruar të përballet me një vendim aspak të zakontë, prishjen e kontratës po nga klubi galician. Shkak është bërë një postim i tij në vitin 2012 në rrjetin Twitter ku ai shkruan “Puta Depor, Puta Riazor”, fjalë ofenduese në drejtim të skuadrës së Deportivos dhe stadiumit ku luajnë bardheblutë.
Deportivo e kompletoi blerjen e tij javën e shkuar nga klubi Arosa SC, por pasi mësoi për gjestin e sulmuesit të talentuar, nuk u mendua dy herë për ta shkarkuar ende pa nisur aventura e tij në “Riazor”, stadiumin që tre vjet më parë e vendosi në shënjestër. “Deportivo La Coruna beson se lojtarët që veshin këtë fanellë duhet të jenë një shembull sportiviteti dhe duhet të kenë respekt për kundërshtarët. Gjithashtu, lojtarët tanë duhet të tregojnë impenjim dhe ta duan ekipin dhe ngjyrat e fanellës bardhkaltër”, shkruan klubi në deklaratën zyrtare. Lajmi ka bërë menjëherë xhiron e botës, 17-vjeçari që ëndërron të luajë në La Liga ndoshta duhet të presë edhe për disa kohë, gjithmonë nëse nuk është shfryrë ndaj skuadrës së tij të ardhshme.
Tuesday, 21 July 2015 13:28