Garet Beil do të qëndrojë të paktën dy javë jashtë fushave të lojës pasi ndrydhi keq kyçin e këmbës gjatë ndeshjes që Totenhem barazoi 2-2 ndaj Bazel në Europa Legaue. Ky është lajmi më i keq i mundshëm për skuadrën londineze, duke parë se forma e shkëlqyer e Beil ishte ajo që e kishte ngjitur mes katër skuadrave të para në kampionat dhe po luftonte për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
“Ai ka ndrydhur kyçin. Nuk është aq keq sa mund të duket në pamjet televizive. Por i është ënjtur shumë dhe dhimbja sigurisht që është e madhe. Por shpresojmë që situata të qartësohet sa më mirë gjatë ditës së premte”, tha trajneri i Totenhem, Andre Vijas Boas, pas përfundimit të ndeshjes.
Me dëmtimin e marrë, lojtari do të mungojë minimalisht dy javë nga fushat e lojës, me Vijas Boas që shpreson ta ketë përsëri atë në dispozicion për sfidën kundër Mançester Sitit. Beil ka shënuar 22 gola në të gjithë aktivitetet në këtë sezon dhe ka qenë forca kryesore ofensive e skuadrës londineze. (LajmeShqip.com)
Friday, 05 April 2013 11:35