Planet e Anglisë për Euro 2012 janë goditur nga një tjetër valë dëmtimesh të lojtarëve kryesorë të kësaj përfaqësueseje dhe kanë filluar menjëherë spekulimet për një thirrje të mundshme të Rio Ferdinand, pasi dëmtimet kanë goditur të gjithë repartin e mbrojtjes në miqësoren Angli-Belgjikë të fituar nga “tre luanët” me rezultatin 1-0.
Mbrojtësi i Çelsit, Geri Kahill, u dërgua menjëherë në spital drekt nga “Uembli” për një skanim, për të mësuar nëse ka thyer nofullën apo jo, pasi u përplas me portierin Xho Hart në minutën e 17-të të sfidës. Nëse Kahill nuk mund të marrë pjesë në aktivitetin që fillon të premten, Hodgson është thuajse i detyruar të thërrasë Rio Ferdinand, mbrojtësin e Mançester Junajtid që u la jashtë kombëtares.
Xhon Terri ishte një tjetër lojtar i dëmtuar në ndeshjen kundër Belgjikës, pasi u zëvendësua për një dhimbje që ndjeu në pulpën e këmbës. Ndërsa Xholeon Leskot e mbylli ndeshjen me një fasho në kokë pasi u ça në vetull në një përplasje me futbollistët kundërshtarë.
Gjatë kësaj jave, Anglia humbi dy lojtarë kryesorë si Garet Berri dhe Frenk Lampard, të cilët u lanë jashtë turneut për dëmtime. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 June 2012 09:20