Sulmuesi i Njukasëll, Demba Ba, la deklaruar se një transferim i mundshëm te Arsenali do të ishte lëvizja që “të bën të ëndërrosh”. Futbollisti senegalez, aktualisht është golashënuesi më i mirë i kësaj skuadre, me 11 gola, duke qenë i treti në renditjen e kampionatit anglez, pas Van Persi e Miçu.
Pak kohë më parë, vetë trajneri Alan Pardju kishte deklaruar se shifra e ulët e vendosur si klauzolë largimi në kontratën e lojtarit, vetëm 7 milionë euro, mund ta afronte largimin e tij për sa kohë që futbollisti e dëshironte një gjë të tillë. Tashmë vetë Ba ka bërë të qartë se është gati të ndryshojë ambient, mundësisht duke kaluar te Arsenali.
“Arsenali është një nga skuadrat që të bën të ëndërrosh. Nuk kam çfarë të them rreth spekulimeve, pasi asgjë nuk po ndodh realisht. Shtypi e di që Arsenali ka nevojë për një tjetër sulmues dhe e di njëkohësisht edhe për klauzolën në kontratën time. Ndaj ata kanë krijuar vetë lidhjen”, pranoi futbollisti.
Shtypi anglez ka përmendur shpesh kohët e fundit emrin e Ba si një prej përforcimeve të mundshme për Arsenalin, që ka probleme në repartin avancuar ku nuk ka gjetur një zëvendësues të denjë për Robin Van Persin, i larguar drejt Mançester Junajtid gjatë merkatos së verës. (LajmeShqip.com)
Monday, 17 December 2012 09:33