Finalja e Kupës së Italisë ka sjellë edhe lamtumirën përfundimtare të Alesandro Del Pieros nga klubi i Juventusit. Futbollisti ka treguar do të kishte dashur shumë që ta mbyllte me një tjetër trofe eksperiencën e tij me ngjyrat bardhezi.
“Ka qenë një vit i pabesueshëm dhe në këto javët e fundit jemi mbërthyer nga shumë emocione. Ka keqardhje për finalen e humbur por kjo skuadër ka bërë gjithsesi një sezon të shkëlqyer. Na mungoi qershia mbi tortë, por ama tortën arritëm ta hanim”, ishte batuta e tij duke iu referuar titullit kampion të fituar me skuadrën bardhezi.
Sigurisht, për Del Pieron ka qenë një natë e veçantë. Kur është larguar nga fusha e lojës në pjesën e dytë të ndeshjes, tifozët i kanë dedikuar atij duartrokitjen e gjatë të radhës.
“I falënderoj të gjithë për atë që ka ndodhur këtë vit dhe gjatë karrierës time. Kur dola nga fusha e lojës ndjeva keqardhje sepse po mundeshim, por jam krenar për dashurinë që më kanë treguar dhe një herë tifozët. Çfarë do të bëj tani? Tani do të shkoj me pushime, e pastaj do të ndryshoj kapitull”, ishin fjalët e Del Pieros që tashmë mund të quhet zyrtarisht ish-juventin. (LajmeShqip.com)
Monday, 21 May 2012 14:10