Alesandro Del Piero nuk hedh poshtë asnjë mundësi rreth asaj që do të jetë skuadra e tij e ardhshme. Futbollistit që i mbaron kontrata me Juventusin në fundin e muajit qershor, ka bërë të qartë se do të shqyrtonte oferta edhe nga skuadra latino-amerikane, ndonëse për momentin publikisht ka marrë oferta vetëm nga Sion në Zvicër dhe Montreal Impakt në Kanada.
I pyetur nëse ekzistonte një mundësi për të shkuar te River Pleit që luan aktualisht në kategorinë e dytë argjentinase, ai nuk e ka hedhur poshtë idenë e ribashkimit me David Trezege, i cili gjendet aktualisht te kjo skuadër,
“Ky është një moment delikat i karrierës time. Nuk e di çfarë do të bëj dhe ku do të shkoj. Do të marr në shqyrtim çdo ofertë që më bëhet. A kam folur me Trezege për River Pleit? Sinqerisht jo, nuk kemi folur rreth kësaj çështje. Por ndoshta mund të më ftojnë të shkoj atje, futbolli latin është futbolli im gjithashtu”.
Një nga momentet më të bukura të karrierës së Del Pieros është pikërisht një gol ndaj River Pleit, që i ka dhënë Juventusit Kupën Ndërkontinentale në vitin 1996.
“Ajo ndeshje ishte shumë e vështirë pasi para se të shënoja, Ortega goditi traversën ndërsa Peruci bëri një pritje të shkëlqyer. Ishim dy skuadrat më të mira në botë dhe siç ndodh në këto raste, gjithçka u vendos në vetëm një aksion. Në karrierën time kam udhëtuar shumë dhe gjithmonë tifozët e Boka Juniors më falënderojnë për këtë gol që kam shënuar kundër River Pleit. Gjithmonë i kam cilësuar si dy skuadra të mëdha të futbollit botëror”, tha Del Piero. (LajmeShqip.com)
Saturday, 02 June 2012 13:20