Alesandro Del Piero ka konfirmuar se do të vazhdoj të luajë, edhe nëse nuk do të jetë më një futbollist i Juventusit. Por menjëherë pas fjalëve të kapitenit kanë filluar hipotezat më të mundshme mbi të ardhmen e lojtarit që të mërkurën veshi për herë të 700-të fanellën bardhezi.
Hipoteza më e mundshme është ajo e transferimit në SHBA, ku nuk mungojnë admiruesit dhe kolegë po aq të njohur, si Devid Bekam dhe Tierri Henri. Pikërisht falë këtyre dy yjeve të futbolli evropian ka lindur edhe ideja e një kthimi të mundshëm në formë huazimi te Juventus gjatë periudhës së dimrit kur MLS është pushim, ashtu siç kanë bërë të dy lojtarët e mësipërm me sukses te Milan dhe Arsenal.
Në këtë mënyrë, lojtari do të kishte mundësinë të largohej, por të vazhdonte të ishte pjesë e Juventusit, sado i vogël që të ishte kontributi i tij, pa u bërë barrë për klubin që ka fillua kërkimin e vështirë për një zëvendësues.
Jo rastësisht, një vlerësim i tillë ka ardhur edhe nga fjalët administratorit të bardhezinjve, Bepe Marota. “Nëse Del Piero do të largohet nga Juventus, atëherë klubi do të mendojë të përforcojë cilësinë dhe sasinë e elementëve në dispozicion, por një kampion si Del Piero nuk mund të zëvendësohet lehtësisht”, ishin fjalët e tij.
Vlerësime për numrin 10 të Juventus kanë ardhur edhe nga Xhovani Trapatoni, ai që e aktivizoi i pari te bardhezinjtë kur ishte vetëm 19 vjeç. “Meriton të jetë mes më të mëdhenjve të futbollit botëror. Nëse bëhet irlandez, unë e pres në kombëtare”, ishte batuta e trajneri italian që drejton përfaqësuesen e Irlandës. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 April 2012 13:39