Alesandro Del Piero ka pranuar se do të kishte dashur shumë që të luante përkrah brazilianit Ronaldo në një pikë të karrierës së tij. 37 vjeçari që i dha fund një karriere të shkëlqyer me Juventusin dhe tashmë aktivizohet me Sidnein në Australi, ka pranuar gjithashtu se një nga gjërat që i ka mbetur peng është se nuk fitoi “Topin e Artë” në vitin 1996.
“Në fakt nuk kam shumë gjëra që më kanë mbetur peng në karrierën time”, tha ai për “La Gazzetta dello Sport”. “Peng mund të kenë mbetur sa herë kam humbur, si finalet e Ligës së Kampioneve me Juventusin, apo Kampionatin Evropian me Italinë. Unë shpresoja që të fitoja “Topin e Artë” në vitin 1996 pasi fitova Ligën e Kampioneve dhe Kupën Interkontinentale”, tregoi ai.
“Kam luajtur futboll 20 vite kundër më të mirëve. Do të kishte qenë argëtuese të shihja çfarë do të ndodhte duke luajtur përkrah Ronaldos”, tha numri 10 i cili këtë javë shënoi golin e tij të parë në kampionatin australian, edhe pse nuk i garantoi fitoren ekipit të tij.
“Qartësisht jam i lumtur për golin, por nuk jam i kënaqur me faktin që nuk i solli fitoren skuadrës. Shpresoj që ky të jetë goli i parë i një serie të gjatë golash”, deklaroi ish-kampioni i botës me Italinë në vitin 2006. (LajmeShqip.com)
Sunday, 14 October 2012 18:06