Alesandro Del Piero, kapiteni legjendar i Juventusit, duket se ka zgjedhur SHBA-të për të mbyllur karrierën e tij. Konfirmimi vjen pikërisht nga drejtues të skuadrave të MLS të cilët kanë patur interes për të afruar lojtarin që në merkaton verore.
Pronari i ekipit të Montreal Impakt, Xhoi Saputo, ka pranuar se skuadra e tij kishte patur interes ta afronte atë dhe kishte diskutuar me grupin që përfaqëson futbollistin italian.
“Ne jemi takuar me grupin që përfaqëson Del Pieron në dy raste, prill 2011 në Montreal dhe qershor 2011 në Torino, në mënyrë që të vlerësonim mundësinë që Alesandro të mbyllte karrierën e tij te klubi jonë”.
“Ne u lajmëruam nga ky grup në gushtin e vitit 2011 se Alesandro preferonte të zhvendosej në Nju Jork apo Los Anxhelos”, tregoi Saputo në faqen zyrtare të internetit të klubit të tij.
Si rrjedhojë, dy destinacionet e mundshme të 37 vjeçarit janë LA Galaksi, ku do të gjente Devid Bekam dhe Robi Kin, apo Nju Jork Red Bulls ku do të formonte dyshen e sulmit me Tierri Henri. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 January 2012 19:01