Pas humbjes së shpresave për Champions League dhe kualifikimit për në Evropa League, klima në ambientet e Juventusit është shumë e ftohtë. Bankina e Del Nerit pothuajse ka rënë, po t’u përmbahemi deklaratave të mbrojtësit më të madh të tij, Beppe Marottas: “Kemi ide shumë të qarta dhe do të veprojmë sa më shpejtë që të jetë e mundur për të mirën e Juventusit. Javën tjetër do të japim vendimin përfundimtar”.
Gjëja që i shqetëson më shumë drejtuesit është që po vihet në rrezik skuadra. Palermo është kualifikuar në finalen e Kupës së Italisë dhe Juventusi ishte i detyruar të ngjitet në vend të 5-të ose 6-të, për të shpresuar për një vend në Evropë, mirëpo kjo nuk ndodhi.
Pas një kronike të detajuar në edicionin e tyre të drekës, Studio Sport, redaksia sportive e Mediaset, ka folur gjerësisht për të ardhmen e Juventusit, nga bankina deri në fushë.
Nisen nga plani ekonomik prej rritjes së kapitalit nga 60-100 milionë euro, që do të zyrtarizohet më 23 qershor, një vendimmarrje e rëndësishme për të ringritur bardhezinjtë në majat e Evropës.
Në frontin e bankinës është vendosur fati i Del Nerit, i cili humbi çdo shpresë nga e ardhmja e tij juventine dhe pas ndeshjes me Napolin do të shkarkohet zyrtarisht. Villas Boas duket shumë i vështirë për t’u arritur, dhe kuotat e Mazzarrit po bien, kështu që Conte mbetet favorit.
Duket se nuk do të jetë as Mazzarri as Villas Boas, por Antonio Conte trajneri i ri i Juventusit për sezonin e ardhshëm. Këto ditë ka pasur një takim mes tij dhe dyshes Marotta-Paratici, të cilët kanë diskutuar rreth termave kontraktualë.
Conte është lënë i lirë edhe nga Presidenti i Sienas, i cili i është shumë mirënjohës për fitimin e kampionatit të Serie B.
Conte është shumë i pëlqyer nga tifozët, të cilët i mbajnë mend akoma triumfet me të si kapiten. Ai edhe pse në moshë të re ka koleksionuar 2 kampionate të Serie B, të fituara brenda 2 viteve.
Është gati një kontratë 2-vjeçare prej 1.5 milionë eurosh në vit.
Ndërsa, Karim Benzema (23) duket se ka prishur çdo lidhje me Mourinhon. Sulmuesi duket se nuk po e pranon qëndrimin e tij në Madrid dhe këtë gjë e ka deklaruar edhe nëpërmjet agjentit të tij.
Së fundmi duket se edhe Zidane po e shtyn tek Juventusi. Këtë lajm e raporton kanali spanjoll La Sexta, që raporton se Zizou i ka këshilluar Benzemas se Juventusi është skuadra e duhur për të, sepse aty vlera e tij do të njihet.
Juventusi rri në dritare dhe pret momentin përshtatshëm për t’ia marrë Realit Benzeman, pasi që oferta e parë është refuzuar, kinse Special One e ka fituar besimin në të.
Tuesday, 17 May 2011 13:16