Trajneri i Spanjës, Visente Del Boske, ka shpjeguar arsyen pse vendosi të linte jashtë listës së 23 lojtarëve për Euro 2012 sulmuesin e Atletiko Madrid, Adrian Lopez.
Futbollisti 24 vjeçar që ka shkëlqyer këtë sezon me skuadrën e tij, debutoi në mënyrë perfekte në kombëtare të shtunën, duke shënuar gol dhe duke fituar penalltinë që i lejoi Santi Kazorlës të çonte rezultatin në 2-0 në suksesin kundër Serbisë.
Pavarësisht lëvdatave në adresë të tij, Del Boske bëri të qartë se nuk mund të merrte lojtarë që nuk kishin kohë me grupin.
“Ne preferuam opsione të tjera por më duhet të them që Adrian ishte brilant. Të shtatë lojtarët që mbetën jashtë listës janë pak të mërzitur por ata janë sportistë të mirë. Ishte e pamendueshme që një lojtar i cili sapo debutoi, do të ishte pjesë e skuadrës. Por ne po e shohim atë me vëmendje”, tha Del Boske.
“Alvaro Negredo dhe Roberto Soldado janë dy futbollistë krejtësisht të ndryshëm. Njëri është më i shpejtë, ndërsa tjetri është me tepër për lojën e skuadrës. Por duhet ta pranoj se askush prej tyre nuk arrin të zëvendësojë David Vijan, pasi askush nuk na garanton ato që na ka dhënë ai me karakteristikat që ka”.
Në fund, trajneri i Spanjës tregoi arsyen pse kishte preferuar të grumbullonte Pedron e Barcelonës, ndonëse ky i fundit ka patur një sezon me shumë luhatje.
“Ai ka patur një sezon të parregullt, por në rastin e tij u munduam të shihnim edhe atë që ka bërë më para për ne. Na duhen njerëz të cilët mund të luajnë në krah, janë efektivë dhe mund t’i shtojnë cilësi stolit të rezervave”, tha ai gjatë prezantimit të listës përfundimtare ku figurojnë vetëm 4 emra të rinj në krahasim me skuadrën që fitoi Kupën e Botës dy vite më parë. (LajmeShqip.com)
Monday, 28 May 2012 10:01