Trajneri i Spanjës, Vicente Del Boske, ka publikuar sot listën paraprake të kombëtares për Kupën e Konfederatave, ku ka rënë në sy kthimi i sulmuesit Fernando Torres. Në listë është kthyer edhe Iker Kasijas, ndonëse ka kohë pa luajtur.
Kapiteni i Real Madrid, i cili ka përfunduar në stol pas debatit me Murinjon, do të zëvendësojë në këtë listë David De Gea të Mançester Junajtid, i cili do të aktivizohet me kombëtaren U-21 në Evropianin që zhvillohet në Izrael në këtë muaj.
Në skuadër është kthyer edhe Havi Martinez, i cili nuk kishte qenë pjesë e kombëtares në ndeshjet e muajve të mëparshëm, por duket se ka gjetur përsëri hapësirë pas paraqitjeve të shkëlqyera në Ligën e Kampioneve me Bajern Mynih.
“Kur Martinez dhe Torres nuk u përfshinë, ishte sepse ne mendonim se nuk po luanin aq mirë. Ata nuk kishin edhe ndikim në lojën e Çelsit apo Bajernit në atë periudhë, por tani gjërat janë krejtësisht ndryshe dhe të dy janë përmirësuar ndjeshëm”, shpjegoi Del Boske pas publikimit të listës. (LajmeShqip.com)
Skuadra paraprake e Spanjës për Kupën e Konfederatave:
Portierë: Iker Kasijas (Real Madrid), Viktor Valdes (Barcelona), Pepe Reina (Liverpul).
Mbrojtës: Serxhio Ramos, Alvaro Arbeloa, Raul Albiol (Real Madrid), Zherard Pike, Zhordi Alba (Barcelona), Naço Monreal (Arsenal), Cesar Azpilikueta (Çelsi).
Mesfushorë: Ksavi, Andres Iniesta, Serxhio Buskets, Çesk Fabregas (Barcelona), Ksabi Alonso (Real Madrid), Havi García, David Silva (Mançester Siti), Santi Kazorla (Arsenal), Havi Martinez (Bajern Mynih), Hesus Navas (Sevilja), Benat Ekstebarria (Betis).
Sulmues: Huan Mata, Fernando Torres (Çelsi), David Vija, Pedro (Barcelona), Roberto Soldado (Valencia).
Monday, 27 May 2013 18:17