Mbrojtësi i djathtë i Lilë dhe kombëtares franceze, Matië Debushi, insiston mbi vendosmërinë e tij për t’u larguar nga klubi francez, edhe pse ky i fundit nuk dëshiron të lejojë kalimin e tij në radhët e Njukasëll.
Klubi anglez pa t’i refuzohej një tjetër ofertë për lojtarin në ditët e para të gushtit, ndërsa trajneri i francezëve, Rudi Garcia, deklaroi se “klubi ka marrë një vendim të cilit do t’i qëndrojë besnik deri në fund”.
Por vetë 26 vjeçari, në një intervistë të dhënë për “Canal+” pas fitores 2-1 të skuadrës së tij ndaj Sent Etien në javën e parë të kampionatit francez, ka treguar se është i gatshëm të largohet.
“Nuk dua të flas për të ardhmen time. E kam dëgjuar atë që tha shefi i klubit. Në Francë merkato vazhdon deri me 4 shtator. Unë vazhdoj të dëshiroj largimin nga këtu dhe do të shohim se çfarë ndodh deri ditën e fundit”, tha lojtari.
Njukasëll kërkon me ngulm futbollistin pasi shpreson që të përsëritë operacionin e suksesshëm të merkatos të dy sezoneve më parë, kur mori nga Lilë mesfushorin Johan Kabaje, i cili u kthye në një nga futbollistët më të mirë për klubin anglez.
Mendohet që klubi francez kërkon rreth 8 milion euro për Debushi, por anglezët që drejtohen nga Alan Pardju janë të gatshëm të paguajnë vetëm 6 milionë euro për mbrojtësin e djathtë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 12 August 2012 12:30